“Të çuditshmet” shqiptare, nga ritet e dasmave deri tek xhindet

24 Gusht, 2019 - 4:30 pm

Një burrë mes xhindeve

Besimi për shpirtrat e “xhindëve” është gjerësisht i përhapur. Xhind është trajta shqiptare e fjalës arabe “xhini”. Fshatarët kanë frikë që të udhëtojnë natën për shkak të tyre.

Deri dyzet ditë pas lindjes së gruas asnjë burrë nuk duhet të hyjë në shtëpinë e kësaj lehone pasi bie mbrëmja, për të mos u ndjellë shpirti i djallit, në rast se derdhet ujë apo diçka tjetër që besohet se i sjell keq fëmijës.

Thuhet se xhindët banojnë në veri të Pogonit të Vjetër në një shkrep thikë të lartë të quajtur Kezenek, poshtë të cilit ka një guvë nga vërshon uji i zi. Këtu xhindët quhen Nereida, dhe barinjtë që flenë jashtë me bagëtitë, gjatë natës dëgjojnë zërat e tyre.

Një herë e një kohë, një burrë ndjeu në mesnatë zërat e tyre duke kënduar këngë dasme. Ai u çmend, dhe për tre muaj rresht banonte midis ujit të zi të guvës. Natpërnatë flinte me të një femër që nuk ia thosh kurrë emrin sesi quhej. Ajo i rrëfente historinë e familjes së saj.

“Ju burrat jeni të verbër”, thoshte ajo. “Nganjëherë ju na shkelni mbi djepe dhe na i lëndoni foshnjet, pastaj na grabisni kopshtijet. E dimë që s’e bëni me qëllim të keq, prandaj nuk po të lëndojmë; por ju s’keni sy të shihni shtëpitë tona me tufën e deleve dhe mirësitë e tjera. Tashti, ktheu në fshatin tënd në Malishovë dhe thuaju fshatarëve; se të kam trajtuar mirë, se natën s’ke ndjerë kurrë të ftohtë, dhe t’i thuash babait dhe nënës që të mos kenë frikë, pasi kujdesem unë për ty”.

Kur kthehet në shtëpi ai u bë shëndoshë e mirë dhe s’dukej i çmendur si përpara. Por sapo e çoi në vned porosinë, u çmend përsëri dhe iku nga shtëpia te guva me ujin e zi.

Për sa kohë që ndjejti atje, Nereidat vazhduan t’i qortonin burrat për zakonet e tyre dhe shpallën se guva me ujin e zi ishte vendi më i mirë, tamam një pallat i vërtetë. Aty ai rrinte në këtë shoqëri të këndëshme ku përçdo natë Neraidat këndonin, dhe këndonin.

Kur erdhi dimri, burri iku nga guva dhe jetonte në majë të malit, flinte pa u mbuluar fare dhe as e ndjente të ftohtin dhe as u sëmur. Nereidat e bindën që të rrinte bashkë me to; kështu ai u martua me njërën prej tyre dhe jetoi i lumtur për një muaj. Pastaj Nereidat u zunë ndërmjet tyre.

Burri u frikësua, vrapoi në shtëpinë e tij dhe u tregoi fshatarëve për ato që kishte kaluar. Bujtësi i Klarkut ishte takuar me këtë njeri në vitin 1914, dhe asokohe atë e kishte kapur dalldia prapë që të ikte nga shtëpia, por iu kthjellua mendja.

Zakone dasmash

Në jug të Zagorisë ndodhet një grup fshatrash greqishtfolësish të krishterë, më i madhi ndër ta është Poliçani. Kjo komunë njihet si Paleo-Pogoni, pra “Pogoni i Vjetër”, përkundër Pogonit të Parë, që shtrihet më tutje në jug, në anën greke të kufirit.

Populli i Paleo-Pogonit banon në një grykë edhe më të lartë te masivi shkëmbor i Nemerçkës. Rrugëkalimi i vetëm për në Pogon merr përpjetë Drinit, nëpër një luginë të ngushtë që është formuar nga degëzimet e Drinit.

Megjithë territorin e tyre më të thellë, pogonasit janë më të qytetëruar sesa fqinjët në luginën e Drinit; sepse varfëria e skajshme e rrafshinës shmëbore ku mbarështrojnë dhentë, i ka detyruar shumë prej tyre të mërgojnë drejt Amerikës, Stambollit (Konstantinopolisit) dhe Athinës.

Pasi zakoni për t’u martuar ndërvedi në këto fshatra, është i fortë, të ikurit jashtë shtetit, rikthehen në shtëpitë e tyre për të krijuar familjen. Pastaj ikin përsëri jashtë.

Nëse kanë mundësi, ata e marrin nusen me vete; por në të shumtën e rasteve e lenë nusen shtatzënë në shtëpi, dërgojnë para për ta mbajtur, dhe kthehen afërsisht një herë në pesë vjet për të shtuar numrin e familjes.

Kjo mënyrë jetese afrohet me zonat malore greke të Maqedonisë, si në rastin e “fshatrave të gështenjave” (Kastanokhoria) dhe, me Zagorinë e Epirit Grek. Për shkak të këtij zakoni, në këto fshatra ka më shumë gra se burra, dhe puna e krahut e grave të Pogonit është më e rëndë se gjithkund tjetër në Epir. Shtëpitë në Poliçan ndërtohen me gurë dhe me traversa të trasha druri.

Çatitë janë prej guri, rrasat mbulojnë njëra tjetrën dhe shërbejnë për t’u qëndruar stuhive. Falë marrëdhënieve me botën e jashtëme, shtëpitë janë të pajisura sipas modës. Këta fshatarë përdorin takëme dhe mbulesa tryeze, madje një herë, provova luksin e rrallë që të flija me çarçafë. Kurse në shumicën e fshatrave, kur i zoti i shtëpisë më lutej për t’u larë, do kërrusesha kokëposhtë dhe e shoqja do ma shprazte ujin e ftohtë në zverk.

Por njëherë, në Pogonin e Vjetër, më nxorën një legen me ujë të ngrohtë dhe një copë sapun. Por modernia në përgjithësi krijon një përshtypje të rreme, sepse zakonet dhe traditat primitive kanë krijuar lidhje të thella në këtë bashkësi. S.S. Klarku ka kryer një studim mbi fshatrat e Pogonit të Vjetër.

Ky ishte një studiues që vdiq i ri në një aksident me jaht në Gjirin e Korintit. Ai kaloi disa javë në fshatrat e Pogonit të Vjetër nga dhjetori i vitit 1921 në janar të 1922-it dhe vëzhgimet e tij i ka përmbledhur në një ditar të pabotuar.

Një martesë në Poliçan

Ai përcolli një martesë në fshatin e Hlomos, gjë që e përshkruan gjerë e gjatë. Në mëngjes, dhëndërri duhej rruar prej dikujt që i kishte gjallë të dy prindët. Procesioni ishte “shpirti i festës”. Ky duhej të ndiqte gjithmonë krahun djathtas.

Në krye, qëndronte një djalë me një flamur në dorë (në këtë rast flamuri ishte shqiptar, por në ndonjë rast ishte edhe grek, sipas shijeve) bashkë me ahengçitë. Fillimisht, këta shtonin në kishë dhe më pas në shtëpinë e dhëndrrit. Pranë dhëndrit viheshin në radhë krushqit, pastaj ky i mbrojtur nga një çadër hipte në një hamshor të bardhë që mbahej nga i jati, ndërsa në fund rrinin krushkat po nga dhëndëri. Sapo procesioni nisej nga shtëpia e dhëndrrit për te shtëpia e nuses, fillonte muzika.

Te shtëpia e nuses, meshkujt e familjes së saj zinin vendin në procesion. Pastaj, hipur në një mushkë të bardhë mashkull, vinte nusja e mbrojtur nga një çadër dielli. Më pas e kishin rradhën krushkat nga nusja. Në fund fare, vinte një mushkë e ngarkuar me sënduk dhe qilima (që duhet të mjaftonin për një vit).

Mushka drejtohej nga një femër nga krushqia e dhëndrit. Dhëndëri hynte në kishë së bashku me mikun e tij më të ngushtë. Në krah të majtë mbante mikun dhe babain djathtas. Brenda, në kishë, dhëndëri dhe nusja shkëmbejnë kurorat tri herë; dhe i vijnë rrotull tri herë altarit; pastaj marrin tri herë kungimin e shenjtë.

Pas dasmës, dhëndëri dhe nusja kanë “kullure” (bukë në formë unaze) te shtëpitë e njëri tjetrit, ndërsa kumbara e fut gishtin e ngjyer me mjaltë në gojët e të dyve, dhe lëpin gishtin. Gjatë ritualit, baballarët ngrenë dolli me njëri tjetrin duke kryqëzuar gotat; mamaja e dhëndrit i hedh nuses oriz, ndërsa nusja shpërndan ëmbëlsira, portokalle dhe mollë; ndërsa nuses, i ngjitin në shalën e mushkës tri vogëlushë për ta puthur.

Kur rituali i dasmës bëhet gati të shpërndahet në të dyja shtëpitë, krushqia e dhëndrrit rrethojnë nusen dhe i japin dhuratat, ndërsa ajo i jep dhuratat dhëndrit.

Natën e parë, te dhëndëri, shtrohet dreka për krushqinë dhe miqtë e tij, ndërsa natën e dytë shtrohet për krushqinë e nuses, në të dy rastet ngrihet dolli për dhëndërin me urimin “u bashkofshim për gëzime të tjera” (“na prokovoun stereomena”). Kur nusja shkon në shtëpinë e burrit, shoqërohet nga krushqit e saj që duhet të jenë me numër tek.

Në hyrje të shtëpisë kumbari ia jep dhuratat nuses përpara se të zbresë nga mushka. Te dera e shtëpisë ajo i ngjyen katër gishtat në një filxhan me mjaltë tri herë dhe ja jep mjaltin kumbarës, me qëllim që të largojë zënkat.

Në prag të derës rreshtohen monedha ari dhe argjendi dhe nusja e kapërcen pragun e ndihmuar nga dhëndëri, i cili e çon hopa. Sapo nusja futet brenda në shtëpinë e dhëndrit, vajzat e shtëpisë nisin këngën.

Dy-tri ditët e para nusja është kaq e ndrojtur sa nuk flet me askënd, as me vetë burrin, përveç të afërmve të saj. Çifti i sapo martuar, javën e parë pushon, dhe bashkë me afro tridhjetë krushq nga të dyja familjet, janë të ftuar nëpër shtëpitë e krushqisë.

Ritet e martesës

Martesa në Poliçan në përgjithësi, shfaq disa variacione të së njëjtës temë. Bujtësi, ja kishte shpjeguar Klarkut ceremoninë e vet të dasmës, në vitin 1890. Festimet vazhdonin dhjetë ditë, gjatë kësaj kohe shpenzimet llogariteshin në 95 kokë bagëti, 600 okë verë dhe 600 gjerdanë me fishekë, por atëhere ai kishte për të mbajtur 34 kushërinj të parë, pa futur në hesap ata të nuses.

Asokohe mashkulli më i afërt i nuses, flinte me të natën e parë, ndërsa dhëndëri flinte me nusen atë natë që mbaronin festimet. Bujtësi i Klarkut, e kishte konsumuar martesën e vet, vetëm nëntë ditë pas dasmë. Pozita e gruas është e tillë që t’i bindet krejtësisht të shoqit. Ajo s’mund të flejë pa lejen e të shoqit (këtë zakon e zbatojnë të gjitha gratë e shtëpisë).

Nusja duhet të sillet me përunjësi. Kur i shoqi s’është në shtëpi, ajo mund të dalë prej andej vetëm kur shoqërohet nga një grua e martuar. Gruas së martuar i përket një burim në fshat, që s’mundet ta përdorë askush tjetër.

Pozita e gruas është e ndryshme nga pozita e vajzave. Vajza gëzon më tepër liri, dhe madje mund të sillet në mënyrë të pahijshme para të atit.

Gjyshja nuk mund të urdhërohet nga i biri, prandaj nipat këshillohen me gjyshen ashtu si me të ëmën./konica.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme