15 Prill, 2025 - 9:00 pm
Nga Albert Vataj
Seti fotografik i njohur si “The Black Sitting”, realizuar nga Milton Greene në vitin 1957, mbetet një nga më mbresëlënësit dhe të përjetshmit në historinë e Hollywood-it. Ndryshe nga portretet e saj glamuroze në studio apo nga imazhet lozonjare të stilit pin-up, ky cikël fotografish përçon një sofistikim që tingëllon thuajse bashkëkohor, duke sfiduar ndjeshëm kohën në të cilën u krijua.
Milton Greene, një nga mjeshtrit më të ndjeshëm të fotografisë artistike dhe intime, e ka kapur Marilyn-in në poza ku ajo mban çorape rrjete, kapele elegante dhe bustiera, duke krijuar një seri imazhesh ku ndjeshmëria dhe sensualiteti bashkëjetojnë në një ekuilibër të jashtëzakonshëm. Estetika bardhë e zi shton thellësi dramatike, zhvesh çdo teprim të epokës dhe përqendrohet krejtësisht në praninë shprehëse të Marilyn-it, në atë çka ajo lëshon përtej pozimit – një ndjeshmëri e heshtur, e përbrendshme, por mbërthyese.
Edhe pse realizuar në fund të viteve ’50, këto fotografi mbartin një modernitet estetik, që do të ushqente për dekada frymëzimin e fotografëve, stilistëve dhe artistëve. The Black Sitting është dëshmi e fuqisë transformuese që arti ka për të ruajtur gjallërinë e figurës njerëzore përtej kohës dhe klisheve.
Greene, mik i afërt i Monroe-s dhe bashkëpunëtor i saj në shumë sesione ikonike – përfshirë Ballerina Sitting dhe White Fur Series – arrin në këtë cikël të ndërtojë një intimitet që e dallon nga të gjitha të tjerat. Këtu, Marilyn nuk është thjesht biondja fatale që kinemaja e kishte ngurtësuar, por një grua e vetëdijshme për sensualitetin e saj, e fortë, e drejtpërdrejtë dhe befasueshëm e sigurt në vetvete. Ishte një moment kyç për të: ajo sapo kishte përfunduar filmin The Prince and the Showgirl (1957), krah Laurence Olivier-it, dhe ndodhej në një kthesë vendimtare – nga simboli i seksit në përpjekje për t’u afirmuar si aktore serioze. Pikërisht këtë metamorfozë Greene e përjetësoi me një delikatesë të rrallë dhe vëmendje të mprehtë artistike.
Trashëgimia e The Black Sitting tejkalon epokën e saj. Këto imazhe janë ribotuar pafundësisht në retrospektiva që ripërtërijnë mitin Monroe, duke e rikthyer vazhdimisht si muzë dhe ikonë të pashlyeshme të kulturës vizuale. Puna e Greene-it është ende sot një pikë referimi për fotografinë e modës, duke dëshmuar se hijeshia e Marilyn-it nuk ishte vetëm çështje bukurie, por thellësie, karizme dhe një rrëfimi të pathënë që çdo imazh përçon. Eleganca melankolike e këtij sesioni dhe hiri i saj i pakundërshtueshëm mbeten një dëshmi e gjallë e tërheqjes së saj të përjetshme – jo si një kujtim muzeal, por si vepra që rrah me frymë arti, që frymëzon dhe sfidon akoma sot./ KultPlus.com