Thomas Nassi, pioneri shqiptar i muzikës klasike amerikane

30 Janar, 2021 - 11:23 pm

Gjithkush ka dëgjuar vargjet e këngës “Vlora, Vlora”. Ky himn u kompozua para një shekulli prej Thoma Nassit (1892-1964).

Lindur në Dardhë të Korçës, emigroi fillimisht në Greqi dhe më pas, në vitin 1914, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që në moshë të re shfaqi talentin në instrumentet e violinës dhe flautit.

Në vitet 1915-1916 së bashku me shqiptarët e Amerikës themeloi dy formacione orkestrale: mandolinatën “Dodona” dhe Bandën Frymore të Federatës Panshqiptare “Vatra”. Në krye të saj, më 1920 u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës.

Në vitin 1916 hyri në Konservatorin e Nju Inglënd dhe kreu aty studimet për flaut dhe dirigjim. Pas studimeve punoi si flautist jo definitiv me orkestrën simfonike të Bostonit.

Gjatë kësaj periudhe ai organizoi për herë të parë një bandë muzikore për shoqatën VATRA. Ai do t’i mësonte vetë shqiptarët si të luanin në veglat muzikore. Po ashtu Thomai është i pari që organizoi meshat në kishën orthodokse të shqiptarëve në Boston duke i mësuar koreve fetare të këndonin meshën në Shqip.

Gjatë viteve 1920-të ai do të merrte bandën muzikore të Vatrës, të cilën e pat’ ngritur po vetë, edhe do të udhëtonte drejt Shqipërisë. Në këtë periudhë të vështirë për Shqipërinë, e sapo shpallur shtet sovran, ai dhe banda e tij do të udhëtonte në çdo trevë shqiptare duke luajtur këngë patriotike për të ngritur moralin e popullsisë dhe ushqyer ndjenjën kombëtare tek to.

Gjatë viteve 1920-1925 qëndroi në Korçë, duke iu kushtuar gjerësisht aktivitetit krijues muzikor. Këtu zënë fill edhe kompozimet e disa këngëve lirike dhe pjesëve të vogla instrumentale, si: “Fyelli i bariut”, “Bilbili”, “E qarë”, “Katër valle”, etj. kryesisht për instrumentet flaut, violinë e piano. Në gjashtë vite të qëndrimit në Shqipëri, ai u bë një nga nismëtarët e gjallërimit të jetës muzikore të vendit, organizator i sistemit të edukimit muzikor në shkolla dhe ngritjes së orkestrave frymore e formacioneve korale. Ndihmesa e tij në krijimin e traditës dhe konsolidimit të Këngës Qytetare, përbën gjithashtu një ndër meritat kryesore të punës së tij si krijues muzike dhe organizator profesionist.

Në vitin 1926 Thoma Nassi u largua nga Shqipëria për në SHBA, ku vazhdoi punën si dirigjent i orkestrave frymore.

Nga këtej e tutje gjithë jetën në Amerikë do t’ia kushtonte muzikës. Në vendin e largët atij do t’i njihen krijimet e disa orkestrave simfonike siç qenë Cape Cod Filarmonik Orkestra dhe rruga do të vazhdonte në qytete të tjera si Orleans, Truro, Chatham, Province Town, Eastham etj. Në Amerikë ai njihet si pionieri i muzikës klasike.

Komiteti Organizativ i Festivaleve Tipologjike i ngritur nga QKVT, e ka vendosur emrin e Thoma Nassit prej këtij viti si një ndër çmimet vlerësuese për grupet fituese në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Këngës Qytetare që zhvillohet në qytetin e Elbasanit. /dsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme