23 Shtator, 2017 - 3:33 pm
Tradita muzikore urbane, sot pjesë e identitetit klasik të shqiptarëve, u lind e u zhvillua në kohën e formimit kombëtar të shqiptarëve. Dikur, kjo muzikë u krijua nga poetët dhe kompozitorët për t’u përhapur ndër popull, ndërkaq sot njihet si kënga lirike popullore, që është përvetësuar nga populli, përcjellë KultPlus.
Një koncert i datës 30 shtator që do të mbahet në Köln, do të sjellë disa nga këngët e njohura nga qendrat urbane shqiptare, me theks të veçantë te këngët shkodrane. Secila këngë e shtjellon nga një gjendje emocionale të dashurisë së protagonistit, duke filluar nga dashura e parë rinore, lumturia e çiftit, përmes dashurisë fatkeqe deri te dëshpërimi i thellë i poetit të refuzuar nga e zgjedhura e zemrës së tij. Ndonëse ka kaluar kohë e gjatë nga koha e krijimit të tyre, ndjesia e këtyre këngëve mbetet e përjetshme dhe aktuale edhe për dëgjuesin e sotëm.
Këngëtarët që do të interpretojnë në këtë koncert janë: Driton Gashi, Alma Bejtullahu dhe Kushtrim Gashi.
Koncerti i organizuar nga URACult Authentics do të mbahet më datë 30 shtator në Köln. /KultPlus.com