Trashëgimia kulturore, themel i paqes në Ballkan

23 Shtator, 2017 - 6:30 pm

Trashëgimia kulturore është misionin parësor për bashkëpunimin e popujve të rajonit është porosia themelore për paqen dhe stabilitetin rajonal për të trajtuar problemet e ndryshme në mënyrën më të mirëfilltë të mundshme.

Kështu thanë të pranishmit në konferencën ndërkombëtare dyditore në Prishtinë, me temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”.

Thomas Walsh, kryetar i Fondacionit Universal për Paqe, ka thënë se në këtë konferencë do të lansojnë Iniciativën e Parlamentarëve për Paqe në nivel të Ballkanit, e cila synon ndërtimin e marrëdhënieve më të mira ndërmjet vendeve të rajonit.

“Një prej iniciativave më të rëndësishme që kemi ndërmarr kohëve te fundit është lansimi i Shoqërisë Internacionale të Parlamentareve për Paqe, dhe ky është projekt që po e paraqesim sot këtu. Kemi lansuar këtë iniciative në rreth 40 shtete, dhe më shumë se 2000 parlamentarë kanë marrë pjesë dhe nga fundi i vitit ne presim që ta lansojmë në më shumë se 75 shtete dhe qëllimi jonë është ta shtrijmë në 120 shtete para muajit shkurt 2018. Qëllimi i Shoqërisë Internacionale te Parlamentareve për Paqe është që të ndërtojmë një rrjet global, në një mënyre rrjet jo formal, nuk është organizatë qeveritare, është iniciative e shoqërisë civile që punon për të promovuar komunikimin, ne ndërkohë edhe bashkëpunimin, ndarjen e praktikave më të mira mes veti, ndërtimin e urave që mund të na ndihmojnë të ndërtojmë marrëdhënie me të mira përtej kufijve të partive politike dhe ideologjive të thella politike, në mënyre që të ketë komunikim më të mirë dhe bashkëpunim”, tha ai, raporton KP.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se trashëgimia kulturore duhet të shfrytëzohet si vlerë reale për afrimin dhe bashkëpunimin në mes të popujve të rajonit të Ballkanit.

“Në kohët që jetojmë karshi edhe fenomeneve të tilla të ngjashme që në variantet tjera edhe mund të gjenden edhe gjetiu, duke pasur parasysh gjithë atë trashëgimi kulturore është më se e domosdoshme që ajo të shfrytëzohet si vlerë reale dhe në misionin parësor për afrimin dhe bashkëpunimin e popujve të rajonit dhe të vendeve të tyre sovrane. Kjo mund të jetë edhe porosia themelore për paqen dhe stabilitetin dhe të ardhmen e mirë për brezat që vijnë, kjo do të ishte ndihmesë e madhe për politikën, e cila nuk mund të ikë nga problemet dhe trajtimet në mënyrën më të mirëfilltë të mundshme”, tha Sejdiu.

Sejdiu po ashtu tha se Serbia ende nuk është pajtuar me realitetin e ri në rajon sidomos kur ka të bëjë me Kosovën.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha se rajoni i Ballkanit është i interesuar për krijimin e një klime të përshtatshme në drejtim të rritjes së mirëkuptimit në mes njerëzve dhe politikës. Ai tha se kjo rrugë mund të arrihet vetëm duke punuar.

“Se të gjithë jemi të interesuar për të ndërtuar një klimë sa më të përshtatshme për krijimin e një klime sa më të organizuar dhe më reale që dërgon në drejtim të rritjes në mirëkuptimin midis njerëzve dhe politikës të vendeve të rajonit. E dimë që kjo është një rrugë jo e thjeshtë, ende me shumë vështirësi por jo e pa mundur dhe njerëzit që pretendojnë të bëjnë gjëra të mira për vendin e tyre dhe fqinjët sigurisht që mund të arrijnë çdo gjë me vullnet, punë dhe durim. Ky është një fillim i mbarë i cili duhet filluar dhe vazhduar”, tha Moisiu.

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, ka folur për trashëgiminë e përbashkët kulturore si themel për paqe dhe stabilitet në Ballkan, si dhe për paqen dhe sigurinë në Evropë. Ai tha se kjo çështje sa është sfiduese, njëherësh është edhe e ndjeshme.

“Jetojmë në një periudhë ku duket se sikur të gjitha parimet e pranuara në marrëdhëniet ndërkombëtare janë lënë pas dore, në kohën kur sundon forca dhe se me forcë vendosen regjime, të cilat dikujt i përgjigjen, derisa në trashëgiminë kulturore flitet vetëm në mënyrë të përshtatshme. Pse e them këtë? Për arsye që të paralajmëroj për faktin shqetësues se si sot në skenën botërore asgjë nuk ka ndryshuar në aspektin pozitiv”, ka thënë Mesiq.

Mesiq ka thënë se në hapësirën e Ballkanit sot mund të konstatojmë se po jetojmë në një atmosferë pothuajse të zgjimit të serishëm të luftës.

“Po lihet në harresë trashëgimia jonë e përbashkët. Nuk ka përpjekje të përgjigjes ndaj revizioneve të ndryshme të shoqërive, provokime profashiste diku janë bërë dukuri e përditshme. Në disa hapësira harrohet se me pavarësimin e Kosovës, arkitektura e hapësirave tona ka përfunduar”, ka thënë Mesiq.

Në këtë konferencë po marrin pjesë burrështetas, parlamentarë, përfaqësues të shoqërisë civile nga Ballkani dhe Evropa, të cilët për dy ditë me radhë do t’i shpalosin përvojën e tyre në kërkim të zgjidhjeve për problemet kritike të botës, duke nisur nga qeverisja e mirë, ekstremizmi i dhunshëm, konfliktet etnike dhe mbrojtja e mjedisit.

Konferenca ndërkombëtare me temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve” mbahet me mbështetjen e Federata për Paqe Universale (FPU), dhe në partneritet me Shoqatën Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe (SHNPP). / KultPlus.com

Të ngjajshme