24 Nëntor, 2020 - 1:31 pm
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, kanë nënshkruar sot marrëveshjen për Atashetë Kulturorë – misionet diplomatike të Republikës së Kosovës duke u bazuar në synimin e përbashkët për fuqizimin e diplomacisë kulturore dhe sportive, shkruan KultPlus.
Me anë të kësaj marrëveshje mundësohet emërimi i Atasheve Kulturorë të cilët do të promovojnë kulturën e Republikës së Kosovës në vendet ku ata akreditohen.
Atashe Kulturorë do të emërohen figurat eminente të kulturës dhe sportit që kanë për qëllim përfaqësimin e vendit tonë në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës.
“Ne mendojmë që me emërimin e Atasheve Kulturorë do të arrijmë që ta promovojmë kulturën tonë duke shkëmbyer përvojat me shtetet respektive dhe njëkohësisht do t’i paraqesim të arriturat tonë në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Unë si ministre mbes e përkushtuar që t’i kryej të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje në mënyrë që vendi ynë dhe kultura e vendit tonë të jetë prezente në vendet ku do të akreditohen Atashetë Kulturor”, ka thënë Dumoshi. / KultPlus.com