23 Prill, 2018 - 6:30 pm
Përfundimi i urës që lidh ishullin e vogël të Zvërnecit me bregun në Vlorë ka shtuar numrin e vizitorëve në Manastir.
Objekti i kultit u vizitua gjatë fundjavës nga shumë turistë të huaj. Ata tregojnë se çfarë u ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri.
“Shqipëria është një parajsë. Njerëzit janë të mrekullueshëm. Më ka bërë përshtypje infrastruktura dhe bukuria natyrore e qyteteve dhe fshatrave. Shpresoj se shqiptarët e kuptojnë sesa gjëra të veçanta kanë”, thotë një turiste kanadeze.
“Më ka bërë përshtypje historia shqiptare. Mahnitëse të gjitha fazat ku keni kaluar dhe të shohësh mbetjet e epokës romake, osmane dhe të mësosh si ia keni dalë në komunizëm”, shprehet një tjetër vizitor i huaj.
“Më kanë bërë përshtypje plazhet. Unë notova dhe janë shumë të pastër. Është kaq e lehtë të mbërrish këtu. S’të duhet të prenotosh. Ka ushqim të mirë. Është një parajsë”, shton një tjetër turiste.
Kisha e Shën Mërisë në ishullin e Zvërnecit është një ndër pikat ku turistët mund të ndalojnë në Vlorë. Përmirësimi i infrastrukturës ka bërë që të jetë më e lehtë qasja te ky objekt, ndërsa infranstruktura e lënë pas dore prej vitesh bën që shumë monumente të tjera të kulturës të mos jenë lehtësisht të arritshme nga turistët./ Top Channel/ KultPlus.com