24 Qershor, 2019 - 10:00 pm
Shumë parashikime që bëri Arthur C Clarke, dolën të vërteta. Por, imagjinata është trashëgimia e tij më e madhe, shprehet Hephzibah Anderson.
Arthur C Clarke nuk ishte njëri nga ata që mbante të fshehtë talentin e tij. Ai i referohej zyrës së tij si “dhoma ego”, ndërsa bleu një shtëpi në fshat për arkivat e tij – të ashtuquajturat “Klarkivat” (Clarkives). Megjithatë, kur është fjala të përfytyrimi i së ardhmes, me ngulmë refuzonte të merrte mirënjohje për çdo parashikim.
Interneti, printerët 3D, emaili… ai mund t’i ketë përshkruar ato para se të krijohen, por këto nuk ishin parashikime. Ato ishin – këmbëngulte ai – ekstrapolime.
Lënë anash terminologjinë, Clarke ndoshta ka bërë më shumë se çdo autor tjetër – që nga HG Wells dhe Jules Verne – për të katapultuar mendjen në të ardhmen. Si shkrimtar shkencor, e krijoi idenë e një “marrësi personal”, i vogël për t’u bartur e që na mundëson kontaktet me këdo në botë dhe që gjithashtu paraqet pozicionin global. Ky ese u shkrua në vitin 1959 dhe ajo që përshkruante ishte telefoni celular. Pesë vjet më vonë, në një intervistë për programin “Horizon” të BBC-së, mendonte për punën nga shtëpia dhe madje telemjekësinë. Diku tjetër parashikoi bankat online, anijet e ripërdorueshme kozmike dhe problemin e mijëvjeçarit (Y2K).
Më shumë se një dekadë pas vdekjes së tij, vazhdon të jetë autori më i njohur i fantashkencës. Ndërkaq, puna më e famshme e tij mbetet “2001: A Space Odyssey” (“2001: Odiseja hapësinore”). Ideja erdhi nga “The Sentinel” (“Roja”), tregimi i shkruar për një konkurs të BBC-së në vitin 1948. Nuk fitoi, por në vitin 1964, ai dhe Stanley Kubrick vendosën ta zhvillojnë në një roman dhe skenar. Ky mbetet filmi më i madh për gjithësinë. Gjithashtu, aty ndodhi parashikimi i iPad-it, softueri kompjuterik i aftë të lexojë buzët, si dhe stacionet hapësinore. Ka edhe diçka, jo aq e saktë – ose të paktën jo ende: turizmi hapësinor!?
Për nga fuqia profetike, ishte unik me veprat e tij. Për shembull te romani i parë, “Prelude to Space” (“Preludi i hapësirës”), parashikoi raketën e parë hënore saktësisht më 1959. Ndërkaq, është një listë e gjatë e gjësendeve inventive, që shfaqen në faqet e romaneve dhe tregimeve të shkurta, si me alfabet – që nga “automjetet me kontroll automatik” (pa shofer, siç i quajmë sot) e deri te Zero “G”!
Djali i një fermeri të Somersetit, u lind më 1917. Fëmijëria e tij ishte e mbushur me revista shkencore, me vëzhgimin e yjeve (e bëri teleskopin e tij nga tubat e kartonit) dhe fosile si burim magjepsës – që nga momenti kur babai ia dha një kartë me një dinozaur në të. Ai e kishte një radio-pranues, ndërsa nëna e tij që drejtonte zyrën lokale të postës, ia mësoi Kodin e Morseut.
Në moshën 13-vjeçare e humbi babanë. Në kohën kur e la shkollën – ca vjet më vonë – nuk kishte para që mund të përdoreshin për ta dërguar në universitet. Në vend të kësaj, shkoi në Londër në vitin 1936, për të punuar si shërbyes civil. Atëherë u bë anëtar i Shoqërisë Interplanetare Britanike, -një grup i fascinuar nga ideja e udhëtimit në hapësirë, shumë kohë para se kjo gjë të dukej reale. Shkroi për gazetën e tyre dhe kontribuoi me tregime të shkurtra te revistat amatore.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, u paraqit vullnetar për Forcat Ajrore dhe u bë ekspert i teknologjisë radare. Më 1945 kjo punë e shtyu të shkruante një artikull për revistën “Wireless World”, ku foli për mundësinë e gjetjes së një orbite, rreth 23 mijë milje nga Toka, që do t’i mundësonte një sateliti të transmetonte sinjale të radios dhe televizionit. Satelitët tash lëvizin nëpër atë orbitë.
Në vitet 1950 botonte jo vetëm vepra të fiksionit. Madje merrte çmime. Për më shumë se gjysmë shekulli, do të konsultohej nga komuniteti shkencor dhe do të kalonte ditët me korrespondenca nga e gjithë bota.
Vizioni i tij për të ardhmen nuk ka moshë. Në të vërtetë, disa nga parashikimet ende duken të largëta. Për shembull, jeta në Shkri Lankë e frymëzoi për romanin e vitin 1979, “The Fountains of Paradise” (“Shatërvanët e Parajsës”), ku paraqitet një “ashensor hapësinor” – një sistem transporti planet-hapësirë që do të shmangte nevojën e udhëtimit me raketa. Duke qenë shkrimtar i lidhur për tavolinën e më vonë për një karrige me rrota shkaku i sindromës post-polio, udhëtimet e preokuponin. Ëndërronte për teleportimin shumë vite para “Star Trek”-ut (të cilat në fakt ai i frymëzoi). E parashikoi projektin “Hotol” të vitit 1980 – një aeroplan hapësinor që mund të shkonte nga Anglia në Australi për 48 minuta, si dhe uljen më të suksesshme për projektet Apollo. Gjithashtu, imagjinonte makinat që do të bartnin ngarkesa të mëdha mbi goma ajri, për çka më vonë bleu një hoverkraft (makinë amfibe).
“Ishte gabim. Hoverkraftët janë të mrekullueshëm mbi akull dhe të shkëlqyer për qëllime ushtarake, por nuk janë bërë universale në mënyrën se si mendoja”, ka thënë ai.
Dhe, si ia dilte?
Në një episod të “Horizon”-it, më 1964 tha: “Përpjekja për të parashikuar të ardhmen është profesion dekurajues dhe i rrezikshëm. Nëse parashikimi duket i arsyeshëm, përparimi teknologjik me siguri se do ta lë të duket qesharak. Por, nëse nga ndonjë mrekulli, një person është në gjendje të përshkruajë të ardhmen pikërisht ashtu siç do të shpaloset, parashikimet e tij do të tingëllojnë kaq absurde, aq të largëta, saqë të gjithë do të qeshin”.
Në fillim të karrierës së tij, e ndau apartamentin e Londrës me shkrimtarë tjerë të fantashkencës, të cilët e quajtën atë “Ego” – për shkak të aftësisë së tij për të shmangur shpërqendrimin. Sapo u bë emër mjaft i madh për t’u intervistuar, do të dërgonte gazetarët në shtëpitë e tyre, të mbushur me dokumente hulumtuese.
Ndërkohë që dikush tjetër do ta kishte zhytjen si hobi, ai përfundoi në Shri Lankë për të zbuluar rrënojat antike nënujore, duke bërë fushatë për t’i mbrojtur shkëmbinjtë koralorë dhe duke hapur një shkollë zhytjeje. Siç ka thënë në përmbledhjen e eseve “Profiles of the Future” (“Profilet e së Ardhmes”, botuar si libër në vitin 1962): “Faktet e së ardhmes vështirë se mund të imagjinohen nga ata që nuk janë të njohur me fantazitë e së kaluarës”. Dhe, kjo na sjell mbase te sekreti i aftësisë së habitshme të tij si hulumtues i hapësirës: imagjinatën. Ndaj, fantashkenca ishte vendimtare për këtë proces, duke lejuar që mendja e tij të shtrihet përtej sferës së asaj që mund të dukej e mundur.
Më 1962 ai tha: “E vetmja gjë e sigurt për të ardhmen është se do të jetë fantastike”. Kushedi, po të mund të përmblidhnim fuqitë e tij imagjinuese, ndoshta jeta e përditshme do të ngjajë me të ardhmen që ai ëndërronte. /Telegrafi/