17 Shtator, 2024 - 11:04 am
Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut nisi të hënën në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi.
Artistë, kineastë, shkrimtarë dhe diplomatë morën pjesë në ceremoninë e hapjes që e priti publikun me tinguj muzikë të luajtur nga banda muzikore e personave me aftësi të veçanta “The door”.
Duke prezantuar temën e sivjetshme të festivalit, “Vepro gjelbër tani dhe për të ardhmen” drejtori ekzekutiv, Kujtim Çashku, ua la skenën miqve dhe partnerëve të festivalit ndërsa përshëndeti artistët e veçantë.
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se në një botë të polarizuar, kinemaja ofron një mundësi unike, për të zhvilluar humanizmin dhe për të marrë veprime kolektive për të mirën e përbashkët, ndaj nuk është rastësi që Bashkimi Europian është partner i festivalit.
“Tema e festivalit është një kujtesë e fuqishme, për përgjegjësinë për të mbrojtur planetin, sepse kemi vetëm një planet. Programet në Shqipëri theksojnë rëndësinë e gërshetimit të zhvillimit ekonomik me qëndrueshmërinë afatgjatë dhe me ruatjen e biodiversitetit”, u shpreh Gonzato.
Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se festivali e ka bërë Kinostudion nga vend periferik në një epiqendër të një debati, të një diskutimi, të një provokimi të mendimit intelektual.
“Ndonjëherë filmi na sjell realitete të largëta afër, na sjell atë që ndodh në Ukrainë dhe barbarizmin e agresionit rus. Gjërat që në përditshmërinë tonë janë të padukshme një film i nxjerr në pah dhe na provokon të gjithëve edhe në vendimmarrje”, theksoi Veliaj.
Filmi suedez “Blix not bombs” nga Greta Stocklassa çeli siparin duke sjellë në vëmendje rolin e diplomatit Hans Blik në raportet mbi Irakun në vitet 2000 dhe çështjen e armëve të shkatërrimit në masë.
41 filma do të shfaqen në Tiranë, në COD, te Marubi, në kinemanë “Maks Velo”, te Akademia e Sigurisë, te shkolla e Magjistraturës, te Autoriteti i dosjeve etj, duke sjellë në vëmendje përmes këtij festivali perceptime dhe reflektime, mbi njeriun, ligjin dhe shtetet./atsh/KultPlus.com