9 Tetor, 2019 - 8:45 pm
Këngëtarja e suksesshme shqiptare ka prezantuar këngën e saj më të re, por kjo këngë është premierë edhe për faktin se ajo po sfidohet edhe në cilësinë e kompozitores, shkruan KultPlus.
Kënga “Vous étiez là” është kënga e parë e Erza Muqollit e cila ka edhe vulën e kompozimit nga vetë ajo, kurse kënga është me tekst të Vianney.
Por edhe në këtë këngë, Erza Muqolli ka futë fjalë shqipe, pasi që kjo këngë mbyllet me këto fjalë “Mos harro kurrë të gjithë ata që të dhanë dorën, kur ti mësoje hapat e parë. Kurrë mos harro nga vjen, për ju të gjithë qe jeni me mua tash, mos harroni që gjithmonë do jem me ju, gjithmonë do jem me ju”.
Kjo këngë e lansuar në kanale të ndryshme është pjesë nga koncerti i Erza Muqollit që do të lansohet nëpër të gjithë rrjetin e kinemave të Francës, koncert që do ti paraprijë albumit të saj të parë.
Erza Muqolli në albumin e saj të parë ka edhe një këngë hyrëse në gjuhën shqipe që e ka titulluar “Fillim”.
Kjo këngëtare e famshme shqiptare deri më tash ka të shitura mbi 2 milionë kopje të albumit të mëhershëm, ku ishte pjesë e një grupi të fëmijëve, kurse me ketë album po prezantohet solo.
Erza Muqolli njihet edhe për anën humane, e cila nga koncertet nëpër vende frankofone dhe vende të tjera ka dhuruar për fëmijët në nevojë rreth 2 milionë euro./KultPlus.com